Shkup – 3 qershor 2019

Erolld Musliu për DW: Nuk ka agjentura të vogla ose të mëdha, por ka agjentura efikase


Do të punojmë në përforcimin e potencialit njerëzor dhe kapaciteteve teknike për shkak të identifikimit dhe reagimit ndaj kërcënimeve moderne, paralajmëron drejtori i ri i Agjencisë së zbulimit.

Flet gjuhën angleze, italiane dhe franceze, ndërsa biografia e tij e punës në tërësi është e përkushtuar ndaj gjuhës së sigurisë. Pas diplomimit në Fakultetin e Sigurisë, karriera e tij profesionale ka nisur në MPB, ndërsa vazhdon në Agjencinë e Zbulimit, ku gjatë dy dekadave të fundit ka qenë në pozita të ndryshme- inspektor kryesor, ndihmës i drejtorit të Drejtorisë për punë operative, drejtor i Drejtorisë për zbulim të terrorizmit ndërkombëtar dhe krimit të organizuar, këshilltar për bashkëpunim operativ ndërkombëtar, ndihmës i drejtorit të AZ i obliguar për koordinim për punë operative. Para dhjetëra ditësh Erolld Musliu (49) është emëruar drejtor i AZ, institucion që është nën mbikëqyrjen e shefit të shtetit, ndërsa është e autorizuar për mbledhjen, analizën dhe përpunimin e informacioneve zbuluese të rëndësishme për sigurinë, mbrojtjen, interesat ekonomike, politike dhe interesat tjera të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Musliu i cili gjatë karrierës së tij profesionale ka përfunduar edhe trajnime ndërkombëtare për punë operative, udhëheqjen e operacioneve të ndërlikuara zbuluese, menaxhim dhe liderizëm, gjatë bisedës për “Deutsche Welle” i ka ndarë planet e tij për punën në Agjencinë e Zbulimit.

DW: Nëse do ta prezantonit veten, cilat pozicione nga karriera juaj profesionale i llogarisni si adutet më të fuqishme për funksionin e ri?

Erolld Musliu: Është jo falënderuese që njeriu vet t`i përmend adutet e veta, sidomos kur bëhet fjalë për karrierën profesionale, por lejon që ato të njihen nga rrethina e punës ku punon dhe vepron. Megjithatë, për t`u përgjigjur në pyetjen, do të theksoja këto adute për funksionin e ri. E para, profesionalizmi i ngritur me zhvillim dhe progres në shërbim. Biografia ime i përfshin të gjitha shkallët e profilit të vërtet të agjentit i cili pas punësimit ka punuar si operativ terreni, deri në drejtues, në pajtim me rregullat profesionale dhe etikës. Progresi në shërbim është gradual, fal kritereve të bazuara në meritë. Kjo gjë më mundësoi që në tërësi t`i mësoj proceset e punës, të piqem në nivelin profesional dhe t`i kuptoj problemet me të cilat përballen të punësuarit e të gjitha niveleve. Aduti i dytë është vizioni dhe sfidat e reja. Për të qenë udhëheqës i një institucioni nuk është e mjaftueshme që të jesh vetëm profesionist, por edhe të kesh vizion për institucionin. Por edhe vet vizioni nuk është i mjaftueshëm në vetvete, nëse nuk dihen kapacitetet disponuese me të cilat synoni qëllimin. Në atë kuptim, funksionin e ri e shoh si një motiv për përballje me sfidat gjatë ndërtimit të perspektivave të Agjencisë. Aduti i tretë është kuadri jopartiak. Unë nuk kam e as që kam qenë ndonjëherë anëtar i ndonjë partie politike. Gjithmonë jam munduar që të ndërtoj karrierë profesionale dhe jo partiake. Me këtë adut unë jam imun ndaj kontrollit dhe ndikimit të partive ndaj personalitetit tim dhe profilit profesional të agjentit që punon për të mirën e shtetit dhe qytetarëve.

DW: Gjatë viteve të kaluara fatkeqësisht një pjesë e agjentëve në AZ janë përmendur si të përfshirë në ngjarjet në Lagjen e trimave nga maji i vitit 2015, por edhe në ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017. Si do t`i hiqni ato hije të zeza nga institucioni me të cilin udhëhiqni?

Erolld Musliu: Fatkeqësisht, me të vërtet bëhet fjalë për dy ngjarje të pakëndshme, të cilat do të mbahen mend nga të gjithë ne që e kaluam atë periudhë nga zhvillimi i demokracisë në shtetin tonë. Dy ngjarjet ndodhën në momente shumë të ndjeshme politike dhe dolën nga një udhëheqje e gabuar me shërbimet e sigurisë. Gjithsesi se bëhet fjalë për dy hije të rënda edhe në punën profesionale të sektorit të sigurisë ku bie edhe AZ. Vet fakti që në të dy ngjarjet përmendet dhe involvim i pjesëtarëve të AZ-së, tregon se gjendja në sektorin e sigurisë ka qenë jashtë kontrollit dhe të gjitha standardeve profesionale. Fakt është që as Agjencia për Zbulim, e as Republika e Maqedonisë së Veriut nuk do të shkojë përpara pa zbardhjen e këtyre dy rasteve. As unë nuk mund t’i fshijë lehtë pasojat nga këto ngjarje ku kishte viktima në njerëz, dhimbje fizike dhe shkatërrim prone. Mund të potencoj se tërësisht do ta vë në dispozicion dhe do të bashkëpunoj me PTHP-në me qëllim zbardhjen e të gjitha dilemave rreth institucionit përgjegjës për të dy ngjarjet.

DW: Edhe përskaj asaj që emri juaj aspak nuk është në mesin e të “kontestuarve”, BDI ka pasur vërejtje për zgjedhjen tuaj me arsyetimin se “ deri në zbardhjen e ngjarjeve të Kumanovës, asnjë njeri që ka qenë pjesë e agjenturave të Ivanovit nuk duhet që të jetë në krye të atij institucioni”. A keni ndonjë lidhje me ato ngjarje?

Erolld Musliu: Më duhet ta pranoj se reagimi i BDI-së për mua ishte befasi, sepse emri im asnjëherë nuk është përmendur në kontest të “ngjarjeve të Kumanovës”. Befasi është edhe fakti që BDI ka heshtur për “përgjegjësinë” deri në emërimin tim. Por, nëse disponojnë me informata dhe fakte tjera, unë jam i gatshëm ti sqaroj të njëjtat. Ja të përgjigjem direkt dhe me shumë përgjegjësi: Nuk jam i përfshirë në ato ngjarje në asnjë mënyrë dhe as emri im nuk është përmendur në këtë kontest. Por tani si drejtor i AZ, e kam për detyrë të zbardhë tërësisht këto ngjarje. Në mënyrë plotësuese, Erolld Musliu asnjëherë nuk ka qenë pjesë, e as që ka punuar dhe shërbyer për shërbime personale dhe interesa personale, gjithmonë ka punuar dhe do të vazhdoje të punoje në atë drejtim që t`i shërbeje shtetit dhe qytetarëve.

DW: U miratuan më shumë ligje të reja me të cilat duhet që të reformohet sfera e sigurisë, por ende jo edhe për AZ. A ka ndonjë arsye që ndryshimet e tilla ligjore nuk u futën në pakon e njëjtë?

Erolld Musliu: Reformat në sistemin e sigurisë të RMV po realizohen në më shumë faza. Në pajtim me raportin e Pribes, hapat e para kanë nisur në vitin 2017 që në fazën e parë të sillet ligji dhe të formohet Agjencia Operative Teknike ( AOT) e cila nisi me punë me 01.11.2018. Faza tjetër ishte ligji për shërbimin e ri, Agjencia për siguri nacionale (ASN), e cila u formua pas ndarjes së DSK-së nga MPB-ja, për të cilën gjë ligji u miratua para disa ditësh. Ngel që kryeministri ta emëroje drejtorin e ri, pastaj procesi i selektimit të kuadrove të ardhshme, dhe kështu me radhë të gjitha komponentët tjera për funksionimin normal të shërbimit modern të sigurisë. Faza e tretë ishte Ligji për koordinimin e shërbimeve, i cili po ashtu është miratuar dhe me të cilin u vërtetuan mënyrat e ndarjes dhe përcaktimit të kërkesave strategjike të kreut shtetëror, zbatimit të përfundimit të Këshillit të sigurimit dhe bashkëpunimit me shërbimet zbuluese dhe të sigurisë në RMV. Është fakt se në këto reforma u dha përshtypja se AZ ka qëndruar anash për një periudhë të caktuar, por këtu nuk ka asgjë të paqartë, pasi që Agjencia është shërbimi i vetëm që ka ligj qysh nga viti 1995. Në këtë fazë, nga aspekti taktik dhe i sigurisë është mirë që AZ dhe DSK nuk janë përfshirë në momentin e njëjtë, pasi që në situatën kur ANB në muajt e ardhshëm do të duhet që ta zbatoje procesin e selektimit dhe ekipimit të kuadrove, AZ është ajo që është operuese në terren. Gjithsesi reformat janë të pashmangshme edhe për AZ, pasi që në periudhën e ardhshme unë si drejtor i saj do të përpiqem për të ndryshuar ligjin aktual të AZ, me definim të qartë të kompetencave të saja si shërbim të shërbimeve të jashtme, por edhe e barabartë në sistemin e sigurisë në RMV.

DW: Cilat reforma janë vendimtare për rritjen profesionale të AZ?

Erolld Musliu: Me ndryshimet e ligjit të AZ, shumë punë do të përmirësohen. E para, roli i AZ do të definohet qartë, me çka do të bëhet një distinkcion i qartë në kompetencat që i kanë AZ, ANB dhe bartësit tjerë të sektorit të sigurisë në RMV. Me ligjin do të parashohim siguri më të mirë sociale për të punësuarit, me qëllim që të mos janë të thyeshëm, gjegjësisht të barazohen të gjitha parametrat me të paraparat për agjentët e ANB, dhe miratimi i pakos më të mirë pensionale për të punësuarit, me kushtet e njëjta si në MPB dhe ANB. E dyta, riorganizimi i brendshëm është kyç për krijimin e shërbimit profesional e cila mund që të përgjigjet ndaj sfidave, dhe njëkohësisht të ndërtoje sistemin e vlerave kompatibile për nevojat e RMV si anëtare e ardhshme e NATO-s dhe BE-së. Struktura momentale organizative nuk është ndryshuar qysh nga viti 1998. E treta, vazhdimi i projekteve tashmë të nisura për bashkëpunimin e AZ me institucionet tjera në shtet. Këtu para se gjithash, mendoj në projektin për brifingje të sigurisë për diplomatët nga MPJ. Hapi i radhës do të jetë praktika e njëjtë që të zbatohet edhe për deputetët në Parlament, si dhe për marrjen e rrolit aktiv në procesin e formimit dhe krijimit të teknikave dhe modusit të shënuar për zbatimin e suksesshëm për kontrollin parlamentar ndaj shërbimeve të sigurisë në RMV, e cila, fatkeqësisht për momentin ka vetëm karakter teknik.

DW: Sipas jush, cilat janë sfidat kyçe para AZ sot, në një botë multipolare me dinamikë të fuqishme të ndryshimeve, interesave, proceseve gjeopolitike senzitive dhe kërcënimeve sajber?

Erolld Musliu: Pyetja përkujton në luftën e Davudit ndaj Xhalutit. RMV si shtet i vogël gjeografik dhe AZ si një shërbim i vogël në numër po përballen me sfidat e njëjta të sigurisë me të cilat përballen edhe shtetet tjera nga regjioni dhe më gjerë. Duke e pasur parasysh faktin se RMV shumë shpejt do të jetë anëtare e plotë e lidhjes më të fuqishme botërore ushtarake-NATO, d.m.th. përskaj ndjekjes së interesave shtetërore strategjike personale, kapacitetet tona do të vihen në funksionin e mbrojtjes së interesave të NATO-s. Kjo nënkupton se sektori i sigurisë në RMV është partner i barabartë me të njëjtën të NATO-s ku marrin pjesë shërbimet e sigurisë të vendeve anëtare. Në raport me sfidat kyçe, në rend të parë do t`i potencoja kërcënimet asimetrike, para së gjithash ekstremizmin dhe terrorizmin e të gjitha llojeve, si dhe krimin e organizuar transnacional ku jemi të fokusuar- migrimi ilegal, tregtia me drogë dhe format tjera. Nga ana tjetër, bota multipolare karakterizohet me strategji të kundërta dhe luftë për ndikim. Proceset gjeopolitike të nxitura nga lufta për ndikim karakterizohen me një spektër të zgjeruar të metodave më pak të njohura të veprimit, ku shpesh herë përfshihen edhe agjencitë e sigurimit të aktorëve kryesor të tabelës së shahut. Këtu para së gjithash mendoj në aktorët botëror dhe regjional që zhvillojnë strategji për veprimtari hibride, me qëllim ndikimin ndaj shteteve dhe regjioneve të caktuara nga interesi i tyre strategjik.

DW: Si është bashkëpunimi i AZ me shërbimet e zbulimit të vendeve partnere dhe si është imazhi i tyre profesional në atë plan?

Erolld Musliu: Në agjenturë ekziston një rregull i pashkruar se nuk ekzistojnë agjentura të vogla ose të mëdha, por efikase dhe shërbime të vendosura mirë që mund të bëjnë diçka. Gjatë përvojës time shumë vjeçare në bashkëpunim me agjencitë partnere, AZ u tregua si një partner i pranuar dhe me dinjitet. Përparësitë e saj janë të njohura nga partner me respekt me të cilët kemi pasur operacione ndërkombëtare të zbulimit në regjione të ndryshme. Lirisht mund të them se njëra prej përparësive më të mëdha të AZ është fakti se në mënyrën më të mirë po i shfrytëzojmë kapacitetet tona njerëzore të cilat përskaj aspektit profesional kanë edhe një element shumë të rëndësishëm për sukses- para së gjithash mendoj në momentin multietnik, multikonfesional dhe multigjuhësor, dhe kjo si esenciale për procesin zbulues të mbledhjes së të dhënave dhe realizimit të operacioneve. Për ta mbajtur imazhin ndërkombëtar operativ, në periudhën e ardhshme në AZ do të punojmë në forcimin e potencialit njerëzor me profile të ndryshme të personaliteteve të nevojshme për një shërbim modern, si dhe në përmirësimin e kapacitete teknike për vendosje më të mirë për shkak të identifikimit dhe reagimit ndaj kërcënimeve moderne.